Vetëm tri ditë pas triumfit ndaj Juventusit, Milani do të zbresë sërish në Torino, këtë herë për t’u përballur me “granatat” e Davide Nicolës, në një tjetër ndeshje ku 3-pikëshi është detyrim, për të siguruar një vend në zonën Champions të renditjes.
Trajneri Stefano Pioli doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për rëndësinë e transfertës torineze, dëmtimin e Ibrës dhe rinovimin me portierin Donnarumma.
Ndeshja me Torinon – Arma jonë më e fortë është ekuilibri dhe këtë e treguam edhe ndaj Juventusit. Megjithatë ndaj Torinos do të jetë një ndeshje krejt ndryshe dhe zgjedhjet në formacion mund të bëjnë diferencën.
Ibra – E vetmja notë e stonuar e të dielës në mbrëmje ishte pikërisht dëmtimi i tij. E sigurt që nuk do të jetë me ne në Torino dhe as të dielën ndaj Cagliarit. Shpresojmë ta rikuperojmë për ndeshjen e fundit ndaj Atalantës.
Rinovimi me Donnarummën – Për momentin të gjithë jemi të përqendruar te ndeshjet e fundit të kampionatit, pasi duam të arrijmë objektivat sezonalë. Pas 25 majit do të ulemi të bëjmë llogaritë dhe të flasim për të ardhmen.