Futbolli po mundohet pak nga pak t’i kthehet normalitetit dhe rimbushjes së shkallareve të stadiumeve me tifozë, të cilët kanë munguar prej më shumë se një viti, sidomos në futbollin e rëndësishëm evropian ku masat kanë qenë të ashpra.
Sinjalet e para i dha Anglia e cila lejoi që në javët e fundit ndeshjet të zhvilloheshin me tifozë dhe tashmë këtë hap po e ndërmerr edhe Spanja.
Në fakt, bëhet fjalë për vendimin rreth futbollit profesionist i cili është nën autonominë e qeverisë, pasi futbolli amator është në varësi të krahinave dhe ka patur ndeshje në këtë vit në kategorinë e katërt që në Spanjë janë zhvilluar me deri 7 mijë persona të pranishëm.
Sot, qeveria vendosi që për futbollin profesionist, por edhe për basketbollin, të lejohej kthimi i tifozëve në stadiume duke iu nënshtruar qartësisht rregullave të distancimit social dhe jo më shumë se 5 mijë persona.
Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mundur në të gjithë Spanjën, por vetëm në ato krahina që janë në nivelin 1 të epidemisë me numër të ulët infektimesh.
Ky është vetëm hapi i parë, pasi pretendohet që së shpejti të hapet drita e gjelbër për të gjithë futbollin, me numra shumë më të lartë, në mënyrë që fillimi i edicionit të ardhshëm të shohë stadiumet duke u mbushur me gjysmën e kapaciteteve në Spanjë.