Romelu Lukaku dhe disa futbollistë të tjerë të Interit në telashe serioze për shkak të thyerjes së rregullave për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Karabinierët kanë ndërhyrë në një hotel, në qendër të Milanos, ku po zhvillohej festa e ditëlindjes së sulmuesit belg, i cili mbush sot 28 vjeç. Lukaku ishte në këtë festë me 23 persona të tjerë, që do të sanksionohen për shkeljen e legjislacionit anti-Covid-19. Midis tyre kishte edhe lojtarë të tjerë të Interit.
Episodi ndodhi rreth orës 3 të natës dhe ndërhyrja e karabinierëve erdhi pas telefonatave që morën për festën që po zhvillohej.
Përveç Lukakut, janë identifikuar edhe 23 persona të tjerë, mes të cilëve disa lojtarë të Interit dhe menaxheri i hotelit “Square Milano Duomo“, i cili organizoi festën.
Hoteli por edhe pjesëmarrësit në ditëlindjen e Lukakut do të ndëshkohen për arsye të ndryshme, për shkeljen e legjislacionit për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit, shpjeguan karabinierët.