Tahir Batatina është trajner që gjithmonë i jep vetes motiv dhe lojtarëve, kurrë nuk i bëhet vonë!
Llapjanët bëjnë be në kokën e tij sepse ia solli Kupën e Kosovës pas 89 viteve të ekzistimit si klub.
Askush para Batatinës nuk e solli trofeun e Kupës në Podujevë, në vitrinat e klubit të futbollit Llapi, Batatina u bë i pari si kryetrajner dhe tani është në histori të trevës së Llapit!
Foto Shpend Ahmeti, Batatina në festë, me lot gëzimi e i prishur në fytyrë
Kur qan Batatina qan me loçkën e zemrës, pa hile!
Kësaj radhe qan për trofeun e Kupës, e priti që moti dhe që zemra e tij e din se si ka rrahur deri në penalltinë e fundit!
Një ëndërr që iu bë realitet, që i gëzoi pamasë llapjanët dhe po ashtu janë në garat evropiane.
Kur askush nuk besonte në minutën e 115-të, kur ishin duke humbur me 1:0 nga Dukagjini, Batatina besonte në magjinë e tij, ndërrim taktike, që e trullosi rivalin, barazuan 1:1 dhe fituan me penallti 4:3 në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.
Në fotografinë e Shpend Ahmetit, shihet Batatina në festë, me lot gëzimi e i prishur në fytyrë dhe me frizur karizmatike, që nëse studiohet fije e për pe, një shkrimtar mund të shkruajë roman për Batatinën.
Krejt në fund, Batatina është si ari për llapjanët sepse ia solli trofeun e parë të Kupës në futboll. Një ushtarak që nuk dorëzohet kurrë.