Prishtina ndodhet një pikë larg titullit pas tetë vitesh. Edhe dy ndeshje, por 90-minutat e nesërm në Gjilan janë më të rëndësishmet në dekadën e fundit.
"Bardhekaltërve, si fitorja, po ashtu edhe barazimi i shpall kampion. Edhe humbja eventuale në rast të mos fitores së Dritës në Skenderaj, po ashtu e shpall skuadrën kampione. Por, futbollistët bardhekaltër kanë mendjen te fitorja, te shënimi i golit sa më shpejtë që është e mundur.
Janë plotësisht të vetëdijshëm, secili nga futbollistët, secili nga ta, që nesër, më shumë se asnjëherë tjetër më parë, janë pranë shkrimit të emrave të tyre me ngjyra ari! Historia e klubit e futbollit të Prishtinës nesër mund të prarohet me titullin e kampionit, pas tetë vitesh mungesë.
Megjithatë, skuadra vendase e Gjilanit, ende është skuadra me rezultatin më pozitiv në këtë edicion ndaj Prishtinës, me katër pikë të grumbulluara, një fitore – e vetmja që ka fituar në Prishtinë, si dhe një barazim, po në Prishtinë.
Ndërsa, bardhekaltrit kanë fituar bindshëm në Gjilan, 3:0.
Skuadrat pas luftës janë ndeshur në 48 ndeshje zyrtare. Prishtina ka larg bilanc pozitiv, 29 fitore, 14 barazime dhe vetëm 5 humbje me goldallim +45, 77:32.
Edhe në Gjilan Prishtina ka dominimin total, nga 19 përballje ka fituar 8, ka barazuar 9 herë dhe ka humbur vetëm 2 ndeshje me goldallim +11, 20:9.
Të urojmë futbollistët tanë të kenë paraqitjen më të mirë të sezonit, për mbamendje, ashtu siç do të mbahet mend çdo rezultat pozitiv nga udhëtimi i nesërm.
Përpara djem, forca Prishtinë!", shkruan në faqen e FC Prishtina.
Java XXXV
Gjilani – Prishtina
E diel, 16 maj – ora: 15.00
Stadiumi i qytetit, Gjilan
Gjyqtarë: G. Shala, B. Selimaj, B. Morina, M. Ajeti
Drejtpërdrejt: Artmotion & Radio Kosova.