Një dramë e vërtetë u konsumua sot pasdite në ndeshjen e Serie A mes Benevento dhe Crotone, duke qenë se skuadra vendase që kishte nevojë për 3 pikët për të mbajtur shpresat ndezur për mbijetesë deri në javën e fundit, u barazua në sekondat e fundit nga Crotone që ka prerë me kohë biletën.
Simy, golashënuesi i Crotones dhe një ndër zbulimet e Serie A këtë sezon, ka shënuar një gol vërtet vrastar në minutën e 93-të të ndeshjes edhe pse skuadra e tij ka luajtur më shumë se një orë me dhjetë futbollistë…
Benevento kaloi përpara me Lapadula pas minutës së 13-të dhe shpërdoroi shumë raste, aq sa ju anulua edhe një gol.
Por, në fund, ndoshta ulja e përqendrimit, solli golin e miqve. Me këtë rezultat, Cagliari shpëton zyrtarisht dhe në “San Siro” sonte ndaj Milanit nuk ka motivim për të marrë pikë përveç se sportiv…
Në anën tjetër, trajneri i Beneventos, Pippo Inzaghi, ka vetëm një shpresë: që i vëllai Simone te Lazio të mundë Torinon në mesjavë, në mënyrë që në ndeshjen e fundit të dy ekipet (Torino dhe Benevento) të luajnë mbijetesën në ndeshjet direkte.