Në pritje për të mësuar nëse do të luajnë në Champions apo Europa League sezonin e ardhshëm, drejtuesit e Milanit kanë nisur që tani të mendojnë për merkaton dhe po planifikojnë lëvizjet që do të kryejnë gjatë verës.
Ashtu siç dihet tashmë, politika e klubit është që të afrojë futbollistë të rinj të talentuar, të ndërthurur me të tjerë me eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare dhe për këtë arsye dyshja Maldini-Massara kanë piketuar dy francezë për sulmin.
I pari është 34-vjeçari i Francës, Olivier Giroud, i cili ishte pranë kuqezinjve edhe në muajin janar, por nuk u arrit marrëveshja dhe te Milani përfundoi kroati Mario Mandzukic, i cili ishte i lirë atëherë. Situata ndryshon këtë verë, pasi sulmuesit të “gjelave” i përfundon kontrata me Chelsean dhe mund të transferohet në Milano me parametra zero, pasi e ka pranuar edhe vetë se do të dëshironte një sfidë të re, në një tjetër kampionat.
Përveç Giroud, Maldini po ndjek me mjaft vëmendje edhe sulmuesin 21-vjeçar të Touluses, Amine Adli, i cili u vlerësua edhe si futbollisti më i mirë i Ligue 2 në Francë, pasi shënoi 8 gola dhe dha 5 asiste. Ai shihet si një nga lojtarët më premtues dhe Touluse e vlerëson rreth 15 milionë euro, megjithatë drejtuesit e Milanit janë gati të paguajnë 10 milionë euro për ta marrë menjëherë në Itali, aty ku do të mund të rritet gradualisht në krah të një eksperti si Zlatan Ibrahimovic.