Malisheva është anëtar i ri në elitën e futbollit të Kosovës. Skuadër që për herë të parë do të jetë në shoqërinë e më të mirëve dhe me synime që të arrijë rezultate sa më të mira.
Malisheva me kryetrajnerin Arsim Thaçi treguan lojëra kompakte pothuajse për gjatë gjithë edicionit në Ligën e Parë të Kosovës, grupi A, duke u shpallur kampion me 60 pikë apo me dy pikë më shumë se Dukagjini nga Klina.
Malisheva nga 27 ndeshje shënoi 19 fitore, 3 barazime dhe pësoi 5 humbje, me goldallim 56:20.
Qendërsulmuesi i Malishevës, Albion Rrahmani, i njohur me nofkën si Lewandowski i Malishevës, tha se ka qenë një rrugëtim i vështirë por që u realizua me sukses, me hyrjen në Superligë.
“Bota sot”: Malisheva për herë të parë në elitë, sa ishte vështirë, pasi deri në fund e keni pas Dukagjinin rival të madh, çfarë iu veçojë?
Albion Rrahmani: Jemi për herë të parë me klubin e Malishevës në Superligë.
Kemi shkruar historinë që e kanë pritur të gjithë qytetarët e Malishevës dhe në fund u realizua.
Ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë, pasi që Dukagjini ka një ekip cilësore dhe një trajner më shumë përvojë por nuk ka qenë vetëm Dukagjini, kanë qenë edhe shumë skuadra tjera, siç është Istogu, A&N dhe Liria.
“Bota sot”: A keni besuar se do të arrihet ky qëllim, ku jeni bazuar më shumë?
Albion Rrahmani: Kam besuar shumë dhe jam bazuar në kualitetin tonë, lojën që e kemi bë gjatë gjithë kampionatit dhe kemi një trajner shumë profesional siç është Arsim Thaçi.
“Bota sot”: Ju thërrasin Lewandowski i Malishevës, sa iu motivon kjo nofkë?
Albion Rrahmani: Me motivon shumë pasi që edhe unë kam dëshirën që një ditë ta kem suksesin dhe te arriturat e Lewandowskit.
“Bota sot”: Cili ka qenë rivali me i vështirë, momenti më i mirë dhe më i keq në ligën e parë?
Albion Rrahmani: Rivali më i vështirë për mendimin tim ka qenë Liria e Prizrenit edhe pse kemi triumfuar në tre ndeshjet, prapëseprapë ka qenë një luftë mes te dy skuadrave më shumë raste dhe lojë shumë cilësore.
Momenti më i mirë ka qenë momenti kur ne fituam ndeshjen në Drenas dhe Dukagjini humbi nga Vushtrria. Po në atë javë ne kemi kryesuar tabelën me 2 pikë diferencë dhe në fund ia arritëm qëllimit tonë që e kemi pas gjatë gjithë kampionatit.
Momenti me i keq ka qenë në ndeshjen me Istogun ku ne humbëm dhe humbëm pozitën e parë për disa javë.
“Bota sot”: Çfarë premton dhe si e sheh Malishevën në Superligë, kë e doni rival në hapje të edicionit te ri?
Albion Rrahmani: Unë premtoj që do ta jap maksimumin nga vetja nga ndeshja ne ndeshje, që të shënoj sa më shumë gola për ta ndihmuar skuadrën. Nuk kam ndonjë mendim por nuk e kemi problem të përballemi me të gjitha skuadrat që janë pjesë e Superligës.