Toni Kroos përfitoi nga “podcasti” javor që ndan me vëllain e tij, Felix, për të folur në lidhje me shëndetin, pas infektimit me koronavirus. Mesfushori i Real Madridit u testua pozitiv në fillim të kësaj jave dhe u izolua menjëherë, çka do të thotë se nuk do të jetë në fushë të shtunën, kundër Villarreal. Sidoqoftë, gjermani nuk hezitoi ta bënte të qartë se do të jetë gati për Europianin, që fillon mbas tri javësh.
“Zakonisht ndjehem i dobët. Është diçka që nuk ia uroj askujt. E vërteta është se nuk është shumë e këndshme, nuk është diçka që është dashur ta përjetoj, – shpjegoi Kroos, natyrisht duke nënvizuar se nuk do të jetë pengesë kur luhet Kampionati Europian.
Nëse afatet respektohen, do të jem në gjendje të bashkohem me kombëtaren në mënyrë krejt normale. Do të rikuperohem dhe do të jem gati”.
Lidhur me rrjedhën e sëmundjes, Kroos shtoi: “Ndihem pak më mirë, ethet janë larguar pak”. Ish-lojtari i Bayern Munich gjithashtu zbuloi se si u infektua: “Megjithë masat paraprake që morëm, ishte një punonjës i shtëpisë që na e solli”.
E para që doli pozitive ishte gruaja e tij, Jessica, për të cilën Kroos tha: “Kuriozisht, unë e kisha komentuar atë më parë: thjesht, duke qenë gjithmonë kaq e përpiktë dhe duke dezinfektuar gjithçka, ju do të jeni e para që do të infektoheni. Dhe kështu ndodhi”.