Sunday League Albania, kampionati i futbollit amator për futbollin 9×9, pjesë e Federatës Shqiptare të Futbollit, ka luajtur dy ditët e fundit ndeshjet gjysmëfinale, duke përcaktuar finalen e madhe e cila do të shikojë kampionët në fuqi të Prestige MFC të sfidojnë Roamel.
Të dy skuadrat kanë arritur finalen e madhe pas dy ndeshjeve gjysmëfinale shumë të luftuara dhe ekuilibruara, ku detajet, eksperienca dhe qetësia në momente decisive kanë përcaktuar fituesit.
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, Roamel kishte përballë ATS. Një ndeshje që në kohën e rregullt u mbyll në barazim 0-0, ku pavarësisht rasteve për shënim nga të dy skuadrat, goli mungoi.
Nga goditjet e penalltive triumfoi Roamel me rezultatin 3-2 pas 15 penalltive të realizuara, tregues ky që skuadrat kishin në portat respektive portierë shumë cilësorë. Ndeshja e dytë gjysmëfinale ishte ajo ndërmjet Futura Dent dhe kampionëve në fuqi të Sunday League Albania, Prestige MFC, me këta të fundit që triumfuan minimalisht 1-0 falë golit të Hysenbelliut në minutën e 5-të. Goli i shpejtë i shënuar nga Prestige krijoi idenë e një ndeshjeje shumë të lehtë për skuadrën kampione por pavarësisht rasteve dhe këmbënguljes së të dy skuadrave, rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Edicioni i dytë i SLA kishte një pjesëmarrje të madhe, me 34 skuadra dhe 1200 lojtarë të regjistruar.
Një tregues ky se pasioni për futbollin është shumë i madh edhe tek ajo kategori që nuk e kanë profesion këtë sport, por e shijojnë në çdo kohë një ndeshje mes shokësh. FSHF e ka mbështetur vazhdimisht futbollin amator në vend, duke parë që nga ky sezon po zhvillohet edhe Kampionati Kombëtar i Futbollit 5×5, me qëllimin e qartë masivizimin e futbollit amator, i cili është jetik për një lëvizje futbollistike të shëndetshme dhe një shoqëri gjithashtu të shëndetshme, duke parë impaktin në shëndet që ka futbolli.