Me fitoren 0-3 në fushën e Burnley-t, Liverpooli u ngjit në vendin e 4-t të Premier League duke parakaluar në renditje Leicester City-n ndërkohë që në të njëjtën kohë hodhi edhe një hap të sigurt drejt kualifikimit në Champions League pasi në ndeshjen e javës së fundit ndaj Crystal Palace mund t’i mjaftojë një fitore minimale për të ruajtur vendin e 4-t pasi aktualisht ka një avantazh +4 nga dhelprat në goleavarazhin e përgjithshëm në kampionat, për më tepër që skuadra e Brendan Rodgers të dielën luan ndaj Tottenham dhe do ta ketë shumë të vështirë të fitojë me goleadë.
Jurgen Klopp u shumë i kënaqur për suksesin ndaj Burnley-t. Trajneri gjerman vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij në prononcimin e dhënë pas ndeshjes. “Duhet të fitonim me çdo kusht. Zhvilluam një ndeshje të madhe. Nuk ishte e thjeshtë të ruanim portën të paprekur, pasi Burnley është një skuadër e fortë fizikisht.
Ata kanë cilësi të mira, është pothuajse e pamundur të mos i lejosh të krijojnë raste të rrezikshme për gol.
Ndërtuam shumë, por ia dolëm të zhbllokonim ndeshjen vetëm në fundin e pjesës së parë. Firminho realizoi një gol të shkëlqyer, por jam i kënaqur edhe për Oxlade-Chamberlain. Edhe ai shënoi një gol të bukur, e meritonte këtë gëzim. U treguam të aftë, zhvilluam një futboll të bukur.
Krijuam shumë aksione, kështu që të gjithë djemtë meritojnë komplimente“, deklaroi timonieri i Liverpool. Me vendin e 4-t në fund të kampionatit, pozicion që do ta kualifikonte në Champions, Liverpool do të shpëtonte në një farë mënyre këtë sezon delikat dhe shumë të vështirë për The Reds.