Një telefonatë mund të ndryshojë në mënyrë të papritur të ardhmen e Hansi Flick. Me shumë gjasa Flick do të marrë drejtimin e kombëtares gjermane në përfundim të Euro 2020 duke zëvendësuar në postin e trajnerit Joachim Low, ndërkohë që këtë fundjavë ai do të drejtojë Bayern Munich për herë të fundit dhe do të ngrejë lart Meisterchalen e dytë si trajner i parë me bavarezët, por menjëherë më pas do të shkëpusë kontaktet me kampionët e Gjermanisë të cilët sezonin e ardhshëm do të drejtohen nga Julian Nagelsmann.
Duke iu referuar atyre që shkruajnë mediat ndërkombëtare, Flick ka marrë një telefonatë nga presidenti i Barcelonës Joan Laporta i cili i ka kërkuar t’i thotë jo stolit të kombëtares së pancerave për të marrë drejtimin e Barcelonës.
Nëse Flick do të pranojë ofertën, atëherrë Laporta do të shkarkojë trajnerin holandez Ronald Koeman i cili edhe pse ka fituar Kupën e Mbretit ka zhvilluar një sezon poshtë pritshmërive me Barcelonën. Dëshira e parë e Laportas ishte ish-mesfushori Xavi Hernandez por ky i fundit ka rinovuar kontratën në Katar me skuadrën e Al Sadd.
Laporta po këmbëngul për një trajner më ekspert siç është gjermani Hansi Flick por në fund mund të ndikojë edhe dëshira e Lionel Messit që u ka kërkuar drejtuesve të klubit të bëjnë sakrificat e nevojshme për të marrë në drejtimin e skuadrës Xavi Hernandez.