Shqipëria U-17 barazoi mbrëmjen e djeshme në miqësoren e parë të luajtur ndaj Bosnje-Hercegovinës në Elbasan Arena.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku prej 4 ditësh kanë filluar grumbullimin e parë për këtë vit, me qëllim përgatitjen e skuadrës për kualifikueset e Kampionatit Europian në Irlandën e Veriut ku do të luajnë shanset tona ndaj Italisë, Skocisë dhe vendasve që janë organizatorë të turneut.
Pas ndeshjes miqësore të barazuar 0-0, fshf.org ka zhvilluar një intervistë me kapitenin e Kombëtares së 17 vjeҫarëve, Skerdi Xhixho , produkt i Shkëndijës së Tiranës. “Ishte një ndeshje e mirë. Na vlejti kjo miqësore për vazhdimësinë e ekipit.
Kemi një kohë të shkurtër në dispozicion për t’u përgatitur.
Me pjesën më të madhe të djemve kemi luajtur, sepse janë nga Shqipëria, thjesht nuk jemi ambientuar me djemtë që luajnë jashtë kampionateve shqiptare. Kjo ndeshje na vlejti për të ardhmen tonë, si një eksperiencë e mirë, pavarësisht rezultatit. Do kishim dëshirë të kishim fituar, por në një ndeshje miqësore nuk ka rëndësi rezultati, por maksimumi që duhet t’i marrim ndeshjes. Do mundohemi që në ndeshjen e dytë të kemi një rezultat sa më të mirë për ne.”
Kapiteni Kasmollari është optimist që me grumbullimet dhe miqësoret e tjera gjatë vitit, skuadra do të arrijë të kompaktësohet dhe të bëj rritjen e kërkuar. “Këto ndeshje na vlejnë për ndeshjet zyrtare të Kampionatit Europian. Shpresojmë të kemi sa më shumë teste të tilla sepse janë shumë të vlefshme për ne".