Inter-Udinese do të luhet me tifozë, edhe pse bëhet fjalë për një një numër të kufizuar. Ministria Italiane e Shëndetësisë ka pranuar kërkesën për anashkalimin rregullores anti-Covid të vendosur më herët Liga e Serisë A. 1000 spektatorë do të kenë mundësinë të ndjekin nga shkallët e “San Siros” ndeshjen mes zikaltërve dhe friulanëve, në fund të së cilës do të zhvillohet ceremonia e dhënies së trofeut të kampionit.
Një sinjal i mirë për të gjithë futbollin italian pas eksperimentit në finalen e Kupës së Italisë, ku ishin të pranishëm 4300 spektatorë të shpërndarë në tribunat e “Mapei Stadium”, në Reggio Emilia. Hyrja në impiantin sportiv të Milanos do të lejohet për punonjësit e Interit, sponsorët dhe familjet e lojtarëve.
Kërkesa e bërë nga presidenti i Ligës, Paolo Dal Pino, gjeti mbështetje në Ministrinë e Shëndetësisë, që pranoi të bëhet një përjashtim nga rregulli për ndeshjen që do të luhet të dielën, në orën 15:00.
Pasditen e 23 majit, Lukaku me shokë do të kenë mundësinë të ngrenë trofenë drejt qiellit përpara një grupi të vogël tifozësh, shenjë e kthimit gradual në normalitet.
Për më tepër, siç informon ANSA, Prefektura e Milanos ka dhënë “ok” për praninë jashtë “San Siros”, në një zonë të kufizuar, të 4500 mbështetësve për të lejuar festën që organizohet nga “Tribuna Veriore”.