Një numër i madh i futbollistëve të njohur në vitet e 90-ta (1991-1999) lanë fusha si tepih, refuzuan oferta të majme dhe iu bashkuan garave të Republikës së Kosovës, duke iu thënë një herë e përgjithmonë jo garave me klubet ish jugosllave dhe serbe.
Musli Bylykbashi i takon Gjeneratës së Republikës dhe ishte prej sulmuesve më të mirë të krahut të majtë, i cili luajti me sukses në fanellën e Ballkanit nga Theranda, që ishte halë në sy për regjimin kriminal serb.
Përkundër kërcënimeve të llojllojshme nga regjimi serb, Bylykbashi nuk u ndal dhe as nuk u tremb, por së bashku me mijëra sportistë të tjerë, sakrifikuan gjithçka dhe me krenari lozën në fusha të improvizuara, herë në Studençan, herë në Dushanovë, Novosellë, Zllakuçan, Raushiq etj.

Ish futbollistit, iu kujtohen shumë gjëra të asaj periudhe të rëndë, por ndihet krenar që ishte pjesë e gjeneratës së sakrificës, që secili me kontributin e tij e mbajtën gjallë futbollin dhe sportin në përgjithësi.
“Kemi qenë të rrezikuar ndoshta më së shumti ne si klub i Ballkanit, për arsye se ish trajneri dhe nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Gafurr Kabashi, ishte në listën e policisë serbe, sa që nuk kemi mundur mi zhvilluar edhe disa ndeshje, për shkak të arrestimit të trajnerit Gafurr Kabashi.

Janë ndërpre disa lojë. Me zor kemi luajtur finalen e Grupit të Gjakovës mes Ballkanit dhe Dukagjinin e Klinës”, tregon Bylykbashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Bylkabashi është rritur në KF Ballkani, një kohë ka luajtur edhe për Lirinë nga Prizreni (në fund të viteve të 80-ta, në ligën e dytë federative ish jugosllave), po ashtu edhe për skuadrën sllovene Izolla, si dhe ka qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës.