Do të jetë një premte “zjarr” kjo e sotmja që do të vijë në ekranin e Supersport me 5 sfida intriguese të vlefshme për javën e 35-të të Kategorisë Superiore, raund ky që mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion por edhe mund të përcaktojë se cila skuadër do të shoqërojë direkt Apoloninë në Kategorinë e Parë.
Partizani-Vllaznia është dueli që merr rëndësinë më të madhe pasi në rast fitoreje të të kuqëve titulli mund të mbetet në kryeqytet por në kampin e Partizanit, ndërkohë që Vllaznia do të tentojë gjithçka për gjithçka pasi me Europën në xhep dhe finalen e Kupës për t’u luajtur, skuadra e Brdaric ka ende shanse për titullin dhe nëse fiton ndaj ekipit të Dajës mund të luajë një finale titulli ndaj Laçit në Loro Boriçi të mërkurën e ardhshme.
Pikërisht bardhezinjtë do të presin në Kurbin, Teutën në një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht nga skuadra e Shpëtim Duros nëse shpreson ende titullin ndërkohë që Teuta gjithashtu do të kërkojë maksimumin në këtë duel për të shpresuar te një ndalesë e Partizanit për të rimarrë kreun.
Kastrioti-Bylis është një finale mbijetese me ballshiotët që duhet të fitojnë me çdo kusht në Kamëz për të parakaluar skuadrën e Ndreut në renditje, ndërkohë që krutanët mund të luajnë edhe për një pikë.
Skënderbeu ndërkohë mund të mbyllë edhe matematikisht çështjen e mbijetesës nëse fiton ndaj Kukësit në Korçë, ndërkohë që Apolonia-Tirana është një ndeshje mes dy skuadrave pa pretendime me bardheblutë që vinë në këtë sfidë me shumë mungesa.