Adrian Hajdari dhe Rapid Vjena kanë ranë dakord për një bashkëpunim të mëtejshëm deri në verën e vitit 2024, shkruan News-TV.
Në dhjetor të vitit 2019 Hajdari bëri debutimin e tij profesional në barazimin 2-2 në derbin e Vjenës. mbrojtësi i talentuar ka zhvilluar dy paraqitje për ekipin e parë. Gjatë sezonit aktual, 20-vjeçari bëri 22 paraqitje në Rapid II në divizionin e dytë.
“Jam shumë i lumtur për zgjatjen e kontratës time dhe falënderoj të gjithë që më kanë mbështetur deri më tani. Fakti që kontrata ime është zgjatur tani më jep motivim shtesë në punën time të përditshme”, tha për mediat austriake Hajdari, i lindur dhe rritur në Vjenë të Austrisë, por me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut.
“Jam i lumtur që një tjetër djalosh i rritur tek klubi ynë do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë. Hajdari është një shtyllë e vërtetë në ekipin tonë të dytë dhe gjatë këtij sezoni ka luajtur në tre pozicione të ndryshme. Nëse ai vazhdon të punojë edhe më shumë, ai me siguri do të jetë përsëri një opsion serioz për ekipin e parë”, thotë Barisiç, drejtori sportiv i Rapid Vjenës.