Skuadra e Barcelonës e ka lejuar Lionel Messi-n të mos luaj në ndeshjen e kësaj fundjave kundër Eibar, për të pasur më shumë kohë para Copa America-s e cila do mbahet këtë verë.
Barcelona ka mbaruar sezonin e tyre dhe ndeshja përballë Eibar nuk ka ndonjë rëndësi të madhe pasi ata janë eliminuar nga gara për titullin e La Liga.
33-vjeçarit, Messi, i përfundon kontrata në qershor të këtij viti dhe nëse ai nuk e zgjat qëndrimin e tij në Camp Nou, ndeshja ndaj Celta Vigo-s ku katalunasit e humbën me rezultat 1:2, mund të jetë e fundit për argjentinasin me Barcelonën.
Megjithatë, presidenti Joan Laporta gjithmonë ka thënë se është “i bindur” që Messi do të rinovojë, dhe Barcelona planifikon t’i ofrojë atij një marrëveshje dy-vjeçare me opsionin për një vit shtesë.
Leo Messi ka fituar shumë trofe me Barcelonën, por, çfarë i mungon Messit, është një trofe me përfaqësuesen e Argjentinës, të cilën do e synojë këtë verë në Copa America.