Sergio Aguero mund të quhet plotësisht futbollist i Barcelonës. Mediat katalane raportojnë se klubi spanjoll ka arritur marrëveshjen me sulmuesin argjentinas për një kontratë dy vjeçare, ndërsa tashmë pritet vetëm zyrtarizimi.
Duke qenë se El Khun është nën kontratë me Manchester City-n deri në fund të sezonit dhe ka ende edhe një ndeshje në kampionat e finalen e Ligës së Kampionëve për të luajtur, palët kanë rënë dakord që zyrtarizimi të vijë në fillim të muajit maj.
Pas 10 vitesh me fanellën e “citizens”, Aguero nuk mori ofertë për rinovimin e kontratës nga Manchester City dhe nga kjo situatë përfitoi maksimalisht Barcelona, që do të sjellë në “Camp Nou” një sulmues të klasit të lartë me parametra zero.
Përveç përfitimit ekonomik, me afrimin e Agueros, drejtuesit e klubit katalan synojnë t’i japin një arsye më shumë për të qëndruar, argjentinasit Lionel Messi, i cili ka një miqësi të fortë me bashkëkombësin e tij.
Nga ana tjetër, El Khun, që më 2 qershor do të festojë ditëlindjen e tij të 33-të, rikthehet në kampionatin spanjoll pas plot 10 sezonesh, pasi në periudhën 2006-2011 ka veshur fanellën e Atleticos së Madridit, ku edhe ka spikatur me 102 gola në 234 ndeshje.