Gara për titullin kampion në Spanjë është e destinuar të zgjasë deri në sekondën e fundit, me dy skuadrat e Madridit, Atleticon e Realin, që do të duelojnë në distancë për të fituar trofeun.
Kështu Los Colchoneros, që kanë udhëhequr me meritë kampionatin thuajse gjatë gjithë kohës, kanë sforcon e fundit në transfertën e “Jose Zorilla”-s, ndaj Valladolidit, ku do t’u mjaftojë marrja e tre pikëve, për të nisur menjëherë festën.
Një mision i lehtë në letër për skuadrën e Simeones, por që nuk pritet të jetë aspak i tillë në fushën e lojës, pasi vendasit janë në zonën e rënies nga kategoria dhe do të provojnë gjithashtu të marrin tre pikët për të shpresuar të mbijetojnë.
Po në orën 18:00, Reali i Madridit do të presë Villarealin në “Alfredo Di Stefano”, në një sfidë gjithashtu mjaft interesante, ku të besuarit e Zidane do të duhet të luftojnë shumë në fushë, por të mbajnë edhe një sy nga Valladolidi.
Fitorja e Los Blancos edhe mund të mos mjaftojë për të festuar, pasi titulli është në dorën e Atleticos, ndërsa vlen të theksohet se Villareali është në garë për një vend në Europa League dhe ka nevojë për tre pikë, për t’ia dalë.
Sfida tjetër e La Liga-s që do të vijë në ekranin e Supersport është ajo mes Eibarit dhe Barcelonës, me vendasit që kanë prerë biletën për në Segunda Division, ndërsa katalanët do të synojnë tre pikët, për ta mbyllur sezonin në vendin e tretë.