Po shkëlqen tek Drenica dhe ftohet përsëri nga Kosova U21, Zabergja: Jam jashtëzakonisht i lumtur!

Futboll

Po shkëlqen tek Drenica dhe ftohet përsëri nga Kosova U21, Zabergja: Jam jashtëzakonisht i lumtur!

Më: 22 maj 2021 Në ora: 13:29
Baton Zabergja

Kombëtarja e Kosovës U21 do ta fillojë grumbullimin për ndeshjen e parë kualifikuese të Evropianit 2023 kundër Andorrës, të martën, më 25 maj.

Përzgjedhësi Michael Nees e ka ndarë këtë grumbullim në dy faza.

Në fazën e parë, prej 25 maj deri më 29 maj janë të ftuar 31 futbollistë dhe kjo fazë do të shërbejë si paraselektim, derisa më pas lista do të reduktohet në 24 futbollistë, të cilët do të jenë në grumbullim në fazën e dytë prej 31 majit, teksa ndeshja kualifikuese me Andorrën U21 zhvillohet më 8 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 20:00.

I ftuar përsëri brenda kësaj liste është futbollist i Drenicës, Baton Zabergja.

Zabergja ka zhvilluar paraqitje shumë pozitive në këtë edicion me skuadrën e Drenicës, duke shënuar 4 gola në 22 ndeshje.

Ai tha se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur që është pjesë e kësaj liste si dhe dha një premtim të madh.

“Ndjehem jashtëzakonisht i kënaqur dhe i lumtur që jam përzgjedhur nga selektori edhe kësaj radhe. Definitivisht do ta jap kontributin tim maksimal, atje ku përmes këtij kontributi kombëtarja jonë në një të ardhme të afërt të jetë në mesin e kombëtareve më të mëdha e më të suksesshme në glob“, tha Zabergja.

Stërvitjen e parë Kombëtarja U21 do ta zhvillojë në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat