Robert Lewandowski shkroi historinë në këtë sezon të Bundesligas duke thyer rekordin 49-vjeçar të legjendës Gerd Muller.
Sulmuesi polak falë golit që realizoi në sekondat e fundit të sfidës ndaj Freiburg, ndeshje që u fitua me shifrat 5-2 nga Bayerni, arriti shifrën e 41 golave sezonalë në Bundesliga kundrejt 40 golave që kishte realizuar Gerd Muller në sezonin 1971-1972 po me fanellën e Bayern Munich. Leva u shfaq shumë i lumtur për thyerjen e këtij rekordi historik që as vetë nuk e besonte se do të vinte, pasi ndodhi në momentin që ai nuk e priste.
“Nuk kam fjalë për këtë rekord. U përpoqa gjatë gjithë ndeshjes të shënoj, provova gjithçka dhe ia arrita në minutën e 90. Jam shumë i lumtur. Pashë që Sane po gjuante, kështu që shkova të shoh nga portieri.Sigurisht, doja të shënoja më parë, por e dija se në një moment rrjeta do vinte. Falënderoj shokët e mi të skuadrës që u përpoqën në çdo mënyrë për të më bërë të shënoja.
Nuk isha i zemëruar, thjesht isha zhgënjyer sepse nuk mund të shënoja. Kur pyesja veten përse nuk po shënoja, atëherë erdhi goli. Ky rekord është edhe i shokëve të mi, i falënderoj ata”, u shpreh Lewandowski.
Sfida ndaj Freiburg ishte e fundit për 3 lojtarë që kanë fituar shumë me Bayernin si Javi Martinez, Jerome Boateng dhe David Alaba të cilët i dhanë lamtumirën Bayernit ashtu si edhe trajneri Hansi Flick duke ngritur edhe njëherë tjetër lart Meisterchalen dhe duke bërë herë të fundit dushin e birrës.