Sportistët nuk kursyen asgjë për të mbajtur gjallë sportin në vitet më të vështira, 1991-1999.
Ishin vitet e tmerrit, vitet që përjetuan torturat më çnjerëzore nga regjimi serb.
Fehmi Hyseni i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë prej mbrojtësve më të mirë që ka pasur Kosova.
Ferizajasi u detyrua të ikë në vitet e 90-ta (1991) për shtetet e perëndimit, sepse i vjen thirrja për të shkuar në shërbimin ushtarak ish jugosllav.
Atëkohë ishte pjesë e KF Prishtinës, që garonte në ligën e dytë federative të ish RFSJ-së, por Hyseni me ardhjen ftesës për ushtri, largohet menjëherë nga Kosova.
Ai kthehet pas disa viteve në Kosovë, pikërisht në pranverën e vitit 1997 i bashkohet skuadrës së futbollit Unitedi nga Sadovina e Jerlive, e cila atëkohë garonte në Ligën Unike të Kosovës.
Hyseni tregoi lojëra të mira dhe dha kontribut të madh, në anën tjetër vazhdimisht ishte i rrezikuar nga milicia serbe.
Ai në shumë raste u detyrua t’i shmangej punktit të milicë serbe në Gërlicë të Ferizajt, duke u futur nëpër male për të arritur në Sadovinë.
Ai tha se të gjithë sportistët ishin të rrezikuar dhe askush nuk e dinte se si do të zbardhej dita e nesërme.
Hyseni është krenar që sado kudo dha kontribut në gjeneratën e sakrificës.
Ai në vitet e pasluftës rikthehet në KF Ferizaj, duke luajtur edhe për disa vite. Ish mbrojtësi ndihet krenar që në vitet e 90-ta, një armatë sportistësh iu kundërvunë fuqishëm pushtuesit serb dhe e mbajtën gjallë sportin në fusha dhe salla të improvizuara.