Gjithçka vendoset të shtunën më 29 maj në mitikun “Wembley”, ku Brentford dhe Swansea ndeshen në finalen e play off-it të Championship-it.
Brentford nuk paraqitet në ligën e parë të Anglisë që nga sezoni 1946/47. Ata kërkojnë pjesëmarrjen për herë të parë në histori në Premier League.
Me nofkën “bletët”, Brentford arriti finalen e play off pas një fitore të mrekullueshme përballë Bournemouth.
Humbjen 1-0 në ndeshjen e parë, ata e kthyen në favor të tyre me fitoren 3-1 në ndeshjen e dytë.
Toney, Janelt dhe Forss ishin heronjë për bletët, që arrijnë finalen e play-off përsëri, pas dështimit në vitin 2020.
Në anën tjetër, Swansea kërkon ngjitjen në Premier League pas tre sezonesh.
Uellsianët u rrëzuan nga kategoria në vitin 2018, dhe që nga atëherë, nuk kanë arritur të gjejnë promocionin.
Fitorja 1-0 në ndeshjen e parë ishte e mjaftueshme për Swansea-n, që në ndeshjen e dytë arritën të ndalin Barnsley-n në një barazim 1-1.
Në këtë mënyrë, ata i drejtohen finales së play off.
Në dy ndeshjet e sezonit të rregullt, Swansea – Brentford i kanë ndarë pikët, duke barazuar dy herë me rezultat identik 1-1.
Finalja vendoset vetëm nga një ndeshje, dhe kjo finale gjithmonë ka treguar që asgjë që ka ndodhur përpara nuk ka rëndësi.
Fulham, Sheffield dhe West Brom do t’i bashkohen Championship-it sezonin e ardhshëm.
Kurse pas Norwich-it dhe Watford-it, ka mbetur të pritet edhe për skuadrën e tretë që ngjitet në Premier League.
Të shtunën, më 29 maj, në orën 16:00, Swansea dhe Brentford luajnë gjithçka.