Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka premtuar se do bëjnë më të mirën në Evropë.
Me fitoren ndaj Arbërisë, Drita ka siguruar pjesëmarrjen në “Conference League” për edicionin e ardhshëm.
Pas ndeshjes, Nuhiu premtoi se do bëjnë më të mirë në garat evropiane.
“Ndeshje të tilla janë shumë të vështira, si në aspektin psikologjik, futbollistët ishin te përqendruar në maksimum. Epërsinë që kishim u munduam ta ruajmë. Më vjen mirë që është fituar ndeshja. Mendoj që e kemi merituar të jemi në Evropë, pasi lojtarët pothuajse gjatë gjithë vitit kanë udhëhequr kampionatin”.
“Ka qenë një vit i gjatë, kishim edhe pak lodhje, dëmtime të shumta të futbollistëve. Në pjesën kryesore mbetem pa forca, por e kemi menaxhuar mirë”.
“Unë vazhdoj të jem pjesë e klubit, kemi biseduar me udhëheqësit. Ka qenë objektivi titulli, por ata respektojnë punën time. Conference League do të kërkojmë më tepër, por do të varet edhe prej shortit. Do të pushojmë njëherë, do të sjellim freski në ekip dhe do ta paraqesim mirë futbollin kosovar në Evropë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Prishtina do luajë në parakualifikimet për Ligën e Kampionëve, derisa edhe Llapi do marrë pjesë në “Conference League”.