Prishtina si duket ishte e ngopur me futboll dhe në një ndeshje pa rëndësi në rezultat sikur u dorëzuan ndaj kundërshtarit i cili megjithatë kishte vullnet më shumë, qoftë edhe minimal, për dalje në Evropë.
Sidoqoftë, kjo humbje e thellë nuk e zbeh fare sezonin fantastik të skuadrës e cila me meritë të plotë u shpall kampione e Kosovës për edicionin 2020/21.
Përndryshe ishte skuadra e Ballkanit që udhëhoqi me dy gola epërsi, të dyja të shënuara nga golashënuesi më i mirë i kampionatit, Mirlind Daku, nga penalltia 1’ dhe gjuajtje me kokë 13’.
Prishtina u rikthye në pjesën e parë me golat e Besnik Krasniqit nga pika e bardhë 25’ dhe të Endrit Krasniqi 35’.
Por, kaq mjaftoi, futbollistët prishtinas pjesën e dytë ishin më të shtendosur, kurse mysafirët duke shpresuar që fitorja mund t’i dërgonte në Evropë shfrytëzuan këtë, duke arritur fitore të madhe, qoftë edhe statistikore. Tre golat e pjesës së dytë për “portokallinjtë” shënuan, 2 Hoxha në minutat 70’ e 78’ dhe të fundit Baftiu në të 88-në.
Prishtina lëshoi rast edhe për një gol kur John qëlloi pingulen (86’).
Skuadra bardhekaltër tani do të ketë një javë pushim të merituar kur edhe do të filloj fazën përgatitore për ndeshjet preliminare të Ligës së kampionëve, shkruan në faqen e FC Prishtina.