Joao Cancelo tashmë është pjesë e Mançester Sitit dhe për pak ditë do të luajë një finale Champions League, ndaj Çelsit. Megjithatë, në një intervistë të fundit pavarësisht sukseseve në Angli, portugezi nuk ka harruar Italinë.
Mbrojtësi anësor thekson se ka qenë një krenari ta luaj në Serinë A, ndërsa shton se Masimiliano Alegri me të cilin ka bashkëpunuar te Juventus, është një nga personat më të rëndësishëm në karrierë.
“Italia më ka lënë shenja pozitive, ka qenë një nder për mua jo vetëm të luaja futboll aty, por edhe të përballesha me kulturën italiane.
Populli italian është i përulur, punëtor dhe në disa aspekte ngjason me atë portugez.
Alegri? Është një nga personat më të rëndësishëm në karrierën time. Kam vlerësuar te ai jo vetëm trajnerin, por edhe njeriun. Është një person i drejtpërdrejtë, që t’i thotë gjërat në fytyrë. Me atë ballfaqimi është gjithnjë i drejtë dhe unë i detyrohem shumë”, u shpreh Cancelo.