Kapiten në fushë, por edhe jashtë saj, pavarësisht se aktualisht është drejtor i Milanit. Paolo Maldini shmang meritat personale në sukseset e kuqezinjve teksa në një intervistë tha:
“Secili ka pjesën e barabartë e ajo që askush nuk e mohon dot është fakti se e merituam. Jemi ekipi me moshë më të re në Itali dhe kemi për detyrë të harrojmë bëmat e Milanit të Berluskonit.
Na është kërkuar të zvogëlojmë borderonë e në këto kushte ne drejtuesit duhet të jemi krijues. Klubi na ka mbështetur e trajneri me lojtarët janë treguar fantastikë”. Legjenga kuqezi pranoi edhe momentet e vështira gjatë sezonit, por profesioni i ri po i pëlqen tej mase, transmeton "Panorama".
“Ka pasur e do të ketë vështirësi, megjithatë nuk kemi pengje. Zgjedhjet e bëra na dhanë të drejtë e jo vetëm për sa u përket lojtarëve, por edhe për qëndrimin e mbajtur apo komunikimin. Roli im ka ndryshuar e më është dashur të mësohem. Kam punuar çdo ditë i dyzuar mes zyrës dhe fushës, por ia ka vlejtur ndaj uroj të vazhdoj ta bëj këtë rol ku vërtetë ndihem shumë mirë”. përfundoi Maldini.