Shumëkush mes tifozëve te Partizanit e ka harruar dështimin kolosal të projektit italian me Luçiano Moxhin si përgjegjës për merkaton e të kuqve. Afrimet që u bënë gjatë verës dhe u vunë në dispozicion të Mark Julianos, sidomos ato nga përtej Adriatikut, rezultuan të gabuara dhe pak nga pak i dhanë lamtumirën Partizanit pa lënë shenjë me fanellën e kuqe.
Por futbolli është një sport që dhuron çudi nga më të ndryshmet dhe një nga dështimet e Partizanit, nuk vonoi të kthehej në një yll në futbollin italian. Luka Bertoni ishte një nga mesfushorët e afruar në atë periudhë dhe përshkruhej si një lojtar me të ardhme, një mesfushor që do t’i bënte punë skuadrës në fazën e organizimit të lojës. Por Bertoni e mbylli me 4 ndeshje në Superiore e 1 në Kupën e Shqipërisë eksperiencën e tij te Partizani pa lënë gjurmë, para se të kthehej përsëri në Itali.
Atje firmosi për Sudtirol në Serinë C dhe spikati me lojën e tij, duke kaluar më pas te Pro Patria. Te kjo e fundit, tashmë 28-vjeçari është kthyer në një lider dhe mban edhe shiritin e kapitenit. Ai ishte pjesë e ekipit që synoi ngjitjen në Serinë B dhe u eliminua vetëm në play-off, por në klub kanë bindjen se ai do të mund të arrijë ngjitjen në edicionet në vijim, ndaj u vendos dhe u arrit rinovimi i kontratës së tij deri në 2023.
Një firmë që është cilësuar si një sukses i madh për klubin, pasi Bertoni është kthyer në një nga yjet e Serisë C dhe klube të Serisë B kishin bërë hapa konkret për të siguruar firmën e tij.