Me ndeshjen që zhvillohet këtë të premte i vihet perdja edicionit 2020/2021 në futbollin e Kosovës.
Dukagjini e Trepça ’89, do të ballafaqohen ndërmjet vete për ta kompletuar tabelën e Superligës për kampionatin e ri.
Besa e Arbëria u larguan nga elita direkë, derisa u inkuadruan Malisheva e Ulpiana, emri i skuadrës së tretë do të mësohet të premten në stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 16:00 në sfidën e barazhit për Superligë ku ndeshen Trepç’89 e Dukagjini.
Trajneri i mirënjohur, Afrim Tovërlani në një bisedë e ka analizuar këtë takim, i cili do të jetë shumë i vështirë dhe vetëm fati do të përcaktojë se cila skuadër do të jetë pjesë e elitës në edicionin e ri, edhe pse për një nuancë presioni më i madh sipas tij është tek Trepçën ’89.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe me shumë presion psikologjik për të dy ekipet, por mendoj që Trepça ’89, ka pak me tepër presion si skuadër e Superligës”, ka thënë fillimisht Tovërlani i cili e pranon se Dukagjini është i hendikepuar pas ndeshjes me Flamurtarin.
“Dukagjini do të jetë i hendikepuar shkaku i dy kartonëve të kuq në ndeshje me Flamurtarin dhe mungesës se Miliciajt i cili është i lënduar. Mbi te gjitha favorit nuk ka në këtë ndeshje dhe mund të vendosin gabimet apo sekuenca të vogla. Mendoj që ekipet janë përafërsisht të barabarta dhe fati mund ta vendos ndeshjen”, ka përfunduar Afrim Tovërlani.
Të kujtojmë se Dukagjini e siguroi barazhin e Superligës pas fitores në Play-off me Flamurtarin, ndërsa Trepça ’89 përfundoi e teta në tabelën e Superligës duke bërë që ekzistencën ta kërkojë përmes barazhit.