Luftë deri në sekondën e fundit pati edhe në garën për mbijetesë, teksa me Apoloninë që ra matematikisht disa javë me parë dhe Skënderbeun, që siguroi qëndrimin në elitë javën e kaluar, Bylis e Kastrioti ishin to që dueluan në distancë për të shmangur rënien direkt dhe për të fituar të drejtën për të luajtur në Play Off.
Ishte pikërisht skuadra krutane ajo që ia doli të fitojë një tjetër shans për mbijetesën, pasi mposhti Kukësin me rezultatin 1-2 dhe e mbylli kampionatin në vendin e 8 me 35 pikë, teksa tani do të luajë Play Out-in e mbijetesës përballë Tomorit të Beratit.
Në sfidën e zhvilluar në “Air Albania” krutanët gjetën golin me vlerë 3-pikëshe në minutat e fundit të pjesës së parë, kur arbitri akordoi një penallti dhe nga pika e bardhë e 11-metërshit shkoi sulmuesi brazilian David Da Silva, i cili ekzekutoi saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 87’, ishte sulmuesi i ri Daci, i cili shënoi edhe golin e dytë për krutanët, teksa pas një topi në krosuar në zonë, u harrua nga mbrojtja verilindore dhe kërceu duke dërguar topin në rrjetë, shkruan supersporti.
Kukësi provoi të reagojë dhe Agim Ibraimi rihapi takimin me një magji nga goditja e dënimit, por goli shërbeu vetëm për kënaqësi personale, pasi nuk kishte më kohë për të ndryshuar rezultatin e ndeshjes.
Një 90-minutësh mjaft i luftuar ishte edhe ai në “Adush Muça” mes Bylisit e Partizanit, me vendasit që garonin për mbijetesë dhe Partizanin që kishte ende një fije besimi te titulli, ndonëse duhet theksuar se asnjëra prej tyre nuk e kishte në dorë fatin e verdiktit final të sezonit.
“Të kuqtë” e nisën mirë takimin dhe kërcënuan me një gjuajtje të Çinarit në minutën e 10’, megjithatë ekzekutimi i shkodranit ishte i dobët dhe jo shqetësues për portën e mallakastriotëve.
Këta të fundit gjetën golin e avantazhit në minutën e 26’, teksa pas një aksioni të shpejtë, Renato Spahiu e pa veten i vetëm me portierin Hoxha dhe gjuajti saktë duke dërguar topin në rrjetë.
Reagimi i Partizanit ishte mjaft i mirë dhe në minutën e 35-të u rikthye baraspesha. Pas një aksioni të shpejtë nga krahu, Tedi Cara mori një top në hyrje të zonës dhe gjuajti menjëherë duke kapur në befasi portierin kundërshtar dhe dërguar sferën në rrjetë.
Pas një pjese të parë të mbyllur në baraspeshë, “të kuqtë” e drejtuar nga Ilir Daja morën avantazhin në minutën e 62-të, teksa këtë herë ishte sulmuesi brazilian Lucas Cardozo ai që shënoi në portën e mallakastriotëve.
Në minutën e 70’ arbitri akordoi një penallti për ballshiotët, të cilën e shndërroi në gol Anthony Beji, duke rikthyer edhe njëherë baraspeshën, ndërsa 5 minuta më vonë vendasit fituan një tjetër penallti, por këtë herë ishte shkodrani Qardaku që gjuajti keq dhe dërgoi topin mbi kuadrat.
Kur dukej se gjithçka do të mbyllje në barazim, Partizani shënoi edhe dy herë të tjera në minutat shtesë, duke triumfuar me rezultatin 2-4 dhe duke e bërë edhe më të dhimbshëm largimin e mallakastriotëve nga elita e futbollit shqiptar, pas vetëm dy vitesh garë aty.
Sfida e vetme që luhej “për qejf” në këtë javë të fundit, ishte ajo e “Selman Stërmasit”, Ku Tirana u vu përballë Skënderbeut dhe e mbylli sezonin me një fitore 3-1. Bardheblutë kaluan në avantazh në minutën e 31-të, teksa pas një rivënieje të gabuar të Dajsinanit, ishte Danso që shërbeu për Seferin, i cili shtyu topin në rrjetë me lehtësi.
Në minutën e 41-të, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi shënoi edhe golin e dytë, teksa këtë herë taulant Seferi u lirua bukur dhe bëri “asist man”-in, duke shërbyer për Gjumsin, i cili dërgoi topin në rrjetë.
Korçarët reaguan menjëherë dhe në të 44-ën rihapën takimin, teksa ishte sulmuesi shkodran Belajdi Pusi, që provoi reflekset e Bekajt dhe më pas topin e kthyer nga portieri i Kosovës, e dërgoi në rrjetë.
Llogaritë e ndeshjes i mbylli sërish Taulant Seferi, që në minutën e 87’ shënoi golin e tretë për bardheblutë dhe të dytin personal për këtë ndeshje, duke shkuar i karikuar në grumbullimi me Kombëtaren në kuadër të miqësoreve të muajit qershor.