Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi ditën e sotme, titullin kampion skuadrës së Teutës, pas plot 27 vitesh pritjeje.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, pas ceremonisë, kreu i organit më të lartë të futbollit në vend, i ka përcjellë urimet skuadrës durrsakëve, për këtë sukses.
Sipas Dukës, sot meritojnë të festojnë të gjithë. Nuk ka munguar një urim i veçantë për presidentin Hasanbelliu.
"Urime Teuta! Të dashur miq, dua ti përcjell urimet e mia më të mira KF Teutës për titullin Kampion të Shqipërisë, në fund të një sezoni emocionues dhe plot rivalitet.
Sot meritojnë të festojnë të gjithë: futbollistë, staf, drejtues, tifozë dursak kudo ndodhen.
Një urim i veçantë shkon për Presidentin Hasanbelliu, arkitektin dhe investitorin e kësaj skuadre. Pas festës është koha për t’ju rikthyer punës, për të bërë një përfaqësim të mirë në garat Europiane", ka shkruar Duka.