PSG ofertë për Hakimin

Futboll

PSG ofertë për Hakimin

Më: 27 maj 2021 Në ora: 11:01
PSG ofertë për Hakimin

Tek Interi vëmendja kryesore është tek emri që do të zëvendësojë Conten, por klubi zikaltër është shumë i vëmendshëm në atë që ndodh në merkaton e futbollistëve. Nevoja për të arkëtuar para, në funksion të përmirësimit të bilancit, përveçse uljen e pagave sugjeron shitjen e një emri të rëndësishëm. Në këtë kontekst, zikaltrit janë të detyruar të dëgjojnë ofertat. E para vjen nga PSG dhe është për Achraf Hakimin.

Leonardo, drejtori sportiv i parizienëve, është admirues i anësorit maroken dhe, siç raportohet nga RMC Sport, tashmë ka trokitur në derën e ish-ekipit të tij për të kuptuar hapësirën për manovrim.

Braziliani mësohet se ka përfshirë edhe Leandro Paredes në marrëveshje. Argjentinasi është një emër që lidhet në mënyrë ciklike me Interin, por, pavarësisht nga kërkesat e trajnerit të ri, në këtë moment në Milano vlerësojnë më shumë ofertat “cash”. Për Hakimin nuk do të merret në konsideratë asnjë ofertë që është më pak se 55 milionë euro, aq më tepër që për kartonin e tij Interi ka derdhur 40 milionë euro në arkat e Realit.

Hakimi, sikurse deklaroi pas ndeshjes me Udinesen, do të jetë i lumtur nëse qëndron tek Interi, por lamtumira e Conte kërkon reflektime, si për të ashtu edhe për lojtarët e tjerë.

Interi, për të siguruar plusvalencë më të ndjeshme, pritet të shesë një mes Lautaros dhe Bastonit, por mbetet alternativë në dalje edhe Hakimi, sigurisht nëse për të do të vijë oferta e duhur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat