Kategoria Superiore tashmë ka ulur siparin teksa në ditën e djeshme është luajtur java e fundit. Kështu, në disa takime interesi ishte i ulët duke qenë se ato skuadra e kishin vulosur fatin e tyre më parë.
Një ndeshje e tillë ishte ajo mes Tiranës dhe Skënderbeut në kryeqytet ku në fund fituan bardheblutë me rezultatin 3-1. Të dy trajnerët vendosën të bënin shumë ndryshime dhe t’i jepnin hapësira futbollistëve të rinj.
Një nga ata që preku fushën ishte edhe Skerdi Xhixho për Skënderbeun, i cili vendosi një rekord për Superioren.
Ai në moshën 16-vjeç, 4 muaj dhe 11 ditë është bërë futbolliati më i ri që debuton në elitën shqiptare. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe Skënderbeu në rrjetet sociale, teksa lojtari i ri me siguri do ta mbajë mend gjatë debutimin në Selman Stermasi përballë Tiranës.