Njeriu i Europa League

Futboll

Njeriu i Europa League

Më: 27 maj 2021 Në ora: 11:45
Njeriu i Europa League

Unai Emery duhet ta ketë trofeun e Ligës së Europës në shtëpi tani. Triumfi i katërt në karrierë: 3 me Sevijen dhe 1 me Vijarealin. Ka humbur vetëm një finale, atë me Arsenalin kundër Çelsit në vitin 2019.

“Jam shumë i lumtur. Këta lojtarë kanë punuar shumë fort gjatë gjithë sezonit, për presidentin, pronarin. Jemi shumë krenarë për Vijarealin. Përballë kishim Mançester Junajtidin, por luajtëm një ndeshje shumë të mirë”, ishin fjalët e para të trajnerit spanjoll, i cili i gëzohet edhe faktit që sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampioneve me këtë skuadër:

“Ky klub ka luajtur në Champions më parë dhe do ta shijojmë këtë kompeticion. Doja pa dyshim që ta fitonim këtë kompeticion, por doja edhe që të luanim në Champions. Do ta shijojmë këtë moment me tifozët dhe familjet tona nesër (sot). Unë bëj vetëm punën time, asgjë më shumë. Ditëm të luftojmë dhe të vuajmë. E mbyllëm ndeshjen më mirë se Mançester Junajtid. Mendoj se e mbyllëm ndeshjen përpara penalltive”.

Emeri zbulon se ai nuk i kishte përgatitur ato në stërvitje, pavarësisht se nuk gaboi askush nga skuadra e tij. “Penalltitë nuk janë një lotari. Duhet të jesh i ftohtë në kokë dhe shënosh. Lojtarët ishin të shkëlqyer. Unë e kam mësuar këtë punë me një lojtar të Almerias, i cili i shënonte penalltitë të gjitha në stërvitje, por pastaj gaboi në një miqësore. Penalltitë vlejnë në momentet vendimtare.

Këtë vit ne nuk i kemi provuar fare në stërvitje”, shtoi tekniku. “Jam krenar për Vijarealin. Jemi krenar që përfaqësuam kampionatin spanjoll dhe e nderuam atë. Dhe pastaj jemi të kënaqur për të gjithë njerëzit e tjerë. Jemi ndier shumë të mbështetur nga tifozët, nga klubi nga kushdo”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat