Policë anglezë në Portugali

Futboll

Policë anglezë në Portugali

Më: 27 maj 2021 Në ora: 17:28
Policë anglezë në Portugali

Policia britanike me mision të veçantë në Portugali për mbarëvajtjen e finales së Champions League-s, ndërmjet Chelsea-t dhe Manchester City-t. Një grup i posaçëm oficerësh të Policisë Britanike gjendet prej disa ditësh në vendin luzitan, për të identifikuar huliganët dhe ndihmuar në mbikëqyrjen apo qoftë edhe shmangien e problemeve të ndryshme që mund të shkaktojë prania e tyre në finalen e edicionit të 29 të Champions-it, që përfaqëson gjithashtu edhe takimin përmbyllës të sezonit të 66, të kompeticionit elitar të klubeve në Kupat e Evropës, shkruan supersporti.

Oficerë të specializuar nga Qytetet e Manchester-it dhe Londrës ndodhen aktualisht në Portugali, për të bashkëpunuar me organet policore vendase, duke ndihmuar në identifikimin dhe mbajtjen nën kontroll të tifozëve të padisiplinuar, që kanë patur probleme në të kaluarën nëpër stadiumet e shumtë, anembanë ishullit.

Në mënyrë të kuptueshme është e qartë që do të jenë të shumtë fansat që do të udhëtojnë drejt Portugalisë, për të ndjekur finalen e madhe Chelsea – Manchester City, sidoqoftë detyra këtë herë pritet të jetë më e thjeshtë, pasi numri i personave që do të zhvendoset në tokën luzitane për të ndjekur këtë takim do të jetë tepër i kufizuar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kjo finale fillimisht ishte programuar për t’u mbajtur në Turqi, në Stadiumin Olimpik “Ataturk” të Stambollit, megjithatë UEFA vendosi të heqë dorë nga një alternativë e tillë, për arsye të virusit Covid – 19. Në këtë mënyrë Qeveria Evropiane e Futbollit mori parasysh gjithashtu edhe kërkesën e dy klubeve angleze për ta afruar vendin organizator, që do të ketë privilegjin për të pritur finale e sivjetshme të këtij aktiviteti. Dy vjet më parë një problem të ngjashëm UEFA e pati edhe me dy skuadra të tjera angleze, e bëhet fjalë pikërisht për Arsenal-in dhe Chelsea-n, tifozët e të cilëve u shtrënguan për të përshkuar kilometra të tëra për të ndjekur në Azerbajxhan në Stadiumin Olimpik të Bakusë derbin e mirënjohur londinez.

Krerët e UEFA-s nuk pranuan që takimi Chelsea – City të zhvillohet në Ëembley, pasi Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk garantonte praninë e sponsorëve, ngaqë kërkoi respektimin e masave të rrepta anti – covid por drejtuesit e organizmit më të lartë të futbollit në Kontinentin e Vjetër ranë dakord që finalja e Champions League-s të zhvillohet për të dytin vit rresht në Portugali. 9 muaj më parë dueli Bayern – Paris SG u mbajt në “Da luz” të Lisbonës, ndërsa këtë herë ndeshja e fundit e sezonit do të luhet në Stadiumin Dragao të Portos.

Shtëpia e “dragonjve” ka një kapacitet prej 50.000 vetësh, sidoqoftë “Estadio Do Dragao” këtë radhë do të mbushet me vetëm 1/3 dhe do të mbajë mbi shpatulla thjesht 16.500 spektatorë. Kurioz është fakti që “blutë” janë nxehur së tepërmi me UEFA-n dhe kanë kthyer mbrapsht 800 bileta. Një pjesë e fansave të klubit të mirënjohur londinez ka dënuar vendimin e krerëve të UEFA-s për të kufizuar lëvizjet e të gjithë atyre personave që do të udhëtojnë drejt Qytetit të Portos për të ndjekur takimin Chelsea – Manchester City.

Dy klubet kanë nga 5.800 bileta në dispozicion dhe tifozët e “bluve” kanë protestuar për çmimin tepër të kripur prej 400 eurosh të biletës për të hyrë në stadium. 800 biletat e kthyera janë pjesë e paketës Charter, që përfshin edhe subvencionimin e 200 stërlinave për fluturimin drejt gadishullit iberik. Për hir të së vërtetës çmimet e finales fillojnë në 60 pound dhe kapin vlerën e 350 stërlinave, ndërkaq në krahun tjetër Sheiku Mansour ka deklaruar se do të paguajë të gjitha shpenzimet e udhëtimit për çdo tifoz të “sky blues” që do të udhëtojë drejt Portugalisë, për të ndjekur duelin City – Chelsea.

Grupime të ndryshme të dy tifozërive kanë dalë hapur kundër zgjedhjeve të bëra nga Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin dhe masave të forta kufizuese, ndërkohë fansat e shumtë që do të udhëtojnë drejt tokës luzitane duhet patjetër të jenë të pajisur me një dokument që vërteton se kanë kryer testin e PCR brenda harkut kohor të 72 orëve, përpara fluturimit të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat