Trepça ’89 do ta kërkojë qëndrimin në Superligën e Kosovës përmes ndeshjes së barazhit, pasi sezonin 2020-2021 e mbylli në pozitën e tetë.
Mitrovicasit do të takohen me Dukagjinin, skuadër e cila javën e kaluar e mposhti Flamurtarin në barazhin e Ligës së Parë.
Pritet të jetë një ndeshje jashtëzakonisht interesante me të dy skuadrat që synojnë epitetin e Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshje të tilla shoqërohen me premia për futbollistët, premia këto që ndahen nga drejtuesit e klubit për futbollistët.
Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka tha se nuk do të ketë premia për futbollistët e skuadrës së tij.
“Jo, nuk do të ketë, sepse futbollistët nuk luajnë për premia. Jam i vetmi Presidenti që nuk e kam asnjë borxh në drejtim të futbollistëve. Kam besim të madh që do të jemi në Superligë dhe se e përsëris që futbollistët e mi janë shumë të motivuar dhe se ata nuk luajnë për asnjë premi“, tha Zeka për GazetaBlic Sport.
Në anën tjetër, drejtoi i Dukagjinit, Fabian Veseli tha se ende nuk kanë vendosur se sa do të jetë shifra e premiave.
“Nuk kemi vendosur ende për premiat. Kjo gjë do të kuptohet pak më vonë se sa do të jetë shifra e tyre”, tha Veseli.
Kujtojmë që ky takim zhvillohet nesër me fillim nga ora 16:00.