Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka ka përfunduar në radarin e Romës dhe tashmë klubi anglez si duket ia ka treguar edhe çmimin e lojtarit.
Sipas faqes Football.London, Xhaka ka qenë njëri nga lojtarët kryesor në ekipin e Arsenalit të Mikel Arteta këtë sezon, por nuk dëshiron që të shikojë ‘procesin e zhvillimit’ të ekipit nën urdhrat e spanjollit.
Reprezentuesi zviceran është i ngazëllyer nga perspektiva për të luajtur nën urdhrat e trajnerit të ri të Romës, Jose Mourinho.
Roma ka hapur bisedime me lojtarin dhe janë ndjerë të sigurt se do të nënshkruajnë Xhakën këtë verë.
Sipas Football London, drejtuesit e klubit italian shpresojnë që të përfundojnë marrëveshjen para fillimit të Euro 2020 muajin tjetër.
Topçinjtë thuhet se tashmë kanë vendosur edhe çmimin fillestar prej 20 milionë funtesh, me 28-vjeçarin që do të largohet nga Emirates dy vjet para se të skadojë kontrata e tij.