Futbollistët nuk i linin rehat as në fusha të improvizuara, regjimi serb kudo i sulmonte, i rrihte e i arrestonte në vitet e 90-ta (1991-1999).
Sportistët shqiptarë përkundër pengesave dhe kërcënimeve, i organizonin garat ashtu si munden nëpër fushat e fshatrave të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Kreshnik Vula i takon Gjeneratës së Republikës, duke luajtur për klubin e futbollit Gjakova dhe Vëllaznimin.
Vulës i kujtohen shumë vështirësi, ndër to nuk i hiqet nga kujtesa ndeshja e Kupës së Kosovës, mes Gjakovës dhe Besës nga Peja, e cila ishte ndërprerë nga milicia serbe në vitet e 90-ta.
“Ishte ndeshja për Kupë të Kosovës, Gjakova-Besa. kur erdh policia dhe e ndërpreu. Trajnerin Flamur Vala e mori policia dhe 2 anëtarë të kryesisë”, tregon Vula për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Ish qendërmbrojtësi thotë se ishin kohëra të vështira, por ndihet krenar që ishte pjesë e gjeneratës së sakrificës dhe së bashku me mijëra sportistë iu kundërvunë regjimit serb. Në vitet e pasluftës së Kosovës, Vula referoi me sukses në futboll.