Achraf Hakimi drejt largimit. Ishte blerja e parë e sezonit të kaluar dhe tani duket se do të jetë lojtari i parë që lë Interin pas fitores së titullit. Tratativa mes Interit dhe PSG-së është në një fazë shumë të avancuar dhe nuk mungon shumë për të arritur te firmat, me klubi zikaltër që do të arkëtojë një shumë prej rreth 60 milionë eurosh.
Gjithçka në të holla, pa kundërshpërblim teknik siç ishte folur fillimisht me kërkesë të klubit parizien, që kërkonte të fuste në tratativa kartonin e mesfushorit argjentinas Leandro Paredes. Gjithsesi shumë shpejt tratativa u fut në binarët që kërkonte Interi, për të përballuar nevojat ekonomike të klubit.
Interit i duhet të ketë një bilanc me fitim prej 90 deri në 100 milionë eurosh nga merkato e ardhshme. Është kjo pse po kryhet edhe shitja e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Plani i klubit është të shesë vetëm një nga lojtarët që konsideroheshin të pashitshëm nga Conte dhe tani do të duhet një punë e jashtëzakonshme nga drejtori sportiv Ausilio. I duhet të shesë disa nga lojtarët që ishin me më pak peshë në projektin teknik, ose akoma më mirë ata që kthehen nga huazimet.
Me siguri diçka mund të përfitohet nga shitja e Joao Mario që vjen pas një sezoni të shkëlqyer me Sportingun ku fitoi kampionatin portugez. Klubi nga Lisbona synon që ta mbajë Joao Marion që pëlqehet edhe në Spanjë.
Mesfushori ka edhe një vit kontratë me Interin dhe ky është sesioni i duhur për të marrë diçka në këmbim. Në Portugali janë të bindur që do të qëndroje te Sportingu i gatshëm të investojë 8 milionë euro për blerjen përfundimtare. Duhet parë pastaj dhe situata e Nainggolan, që e mbylli në rritje kampionatin te Cagliari dhe është një figurë qendrore në projektin e Semplicit në Sardenja.
Nainggolan ka një kontratë që peshon, 4.5 milionë euro neto në sezon për një tjetër vit dhe vetëm nga paga, duke përfshirë dhe taksat Interi do të kursente 9 milionë euro. Mbetet e vështirë ndërkohë për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë me Dalbert dhe Lazaron, me siguri Inter pret oferta për të realizuar të tjera shitje që të realizojë objektivin final.