Skënderbeu do të tentojë të Hënën në “Air Albania” të ngre lart për herë të dytë në histori Kupën e Shqipërisë dhe në konferencën për shtyp në vigjilje të finales me Vllazninë, trajneri Migen Memelli sfidon rivalët dhe kërkon që të mos u besohet statistikave.
“Statistikat nuk kanë farë rëndësi në këtë takim. Jemi një skuadër e re në moshë, por jo e lehtë, edhe pse mund të dukemi të tillë. Duhet pështyrë gjak që të na mposhtësh. Kjo është bindja jona e thellë, te lojtarët dhe klubi. Nuk jemi aq të lehtë sa mund të na mendojnë, ndihemi të fortë dhe kompaktë për të shkuar dhe bërë mirë në finale".
Migen Memelli është i bindur që ekipi jo vetëm është i fortë por ka krijuar emër dhe mentalitet fituesi gjatë një dekade pavarësisht vështirësive në dy vitet e fundit ndaj dhe ai ka siguri për një fitore në finale.
“Gjendja e ekipit është shumë e mirë. I gjithë grupi i lojtarëve dhe ne si staf jemi koshientë për atë që na pret. Lojtarët, drejtuesit dhe ne si staf kemi një mentalitet që është i duhuri për këto raste, siç është finalja e Kupës së Shqipërisë. Edhe nga krahu tjetër e duan Kupën, por ne nuk jemi skuadër e lehtë, kemi mentalitet fituesi dhe e kemi tregua gjatë dekadës së fundit”.
Memelli në fund pranoi se puna dhe cilësitë që kanë lojtarët në këmbët e tyre bashkë me disiplinën do të ndihmojnë Skënderbeun që të triumfojë në “Air Albania”.