Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka bërë publike listën e futbollistëve për dy miqësoret e tjera të muajit qershor.
“Dardanët” në këtë cikël të ndeshjeve kontrolluese do të luajnë kundër dy kombëtareve afrikane, Guinesë dhe Gambisë.
Për dallim nga lista e parë e publikuar nga trajneri zviceran për ndeshjet kundër San Marinos e Maltës, këtë herë Challandes ka ftuar 10 futbollistë nga Superliga e Kosovës.
Krahas shumë lojtarëve të Prishtinës e Ballkanit, ajo që ra në sy ishte edhe mungesa e yllit të Arbërisë, Almir Kryeziut i cili ishte një ndër lojtarët më të dalluar në edicionin e kaluar në Superligën e Kosovës në futboll, duke dhuruar spektakël në çdo stadium të Kosovës.
Media kontaktoi me anësorin këmbëshpejtë për të pyetur se sa ishte i befasuar me vendimin e trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes.
Kryeziu u shpreh i befasuar me vendimin e përzgjedhësit zviceran, megjithatë ai deklaroi se kjo nuk do ta pengojë atë të punojë edhe më shumë, teksa pret ftesë në grumbullimin e radhës.
“Kam qenë i befasuar me mosftesën. Më duhet të punojë ende fortë. E pres ftesën nga Kosova herën tjetër”, theksoi Almir Kryeziu të hënën.
Kryeziu regjitroi katër gola këtë edicion me “kuqezinjtë” nga Dobraja e Lipjanit e cila nuk mbijetoi në Superligë.
Gjithashtu ai ndihmoi bashkëlojtarët me tri asistime dhe duke dhuruar “show” ku kishte rënë në sy të gjigantëve të futbollit të cilët duan shërbimet e tij.