Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka premtuar se Sergio Aguero dhe Eric Garica do të jenë vetëm të parët në një varg arritjesh së reja këtë verë në Camp Nou.
Në dy ditët e fundit, Barcelona e shpalosi afrimin e Agueros dhe Garcias nga Manchester City si lojtarë të lirë.
Derisa sulmuesi argjentinas 32-vjeçar nënshkroi marrëveshje vjeçare, mbrojtësi 20-vjeçar Garcia nënshkroi kontratë pesëvjeçare.
Duket se kjo verë do të sjellë shumë ndryshime në Barcelonë, pasi synimi i presidentit të ri është ta ngrijë klubin në këmbë pas disa sezoneve tejet zhgënjyese.
Laporta është i bindur se Aguero do ta forcojë ekipin para sezonit 2021/22 dhe këmbëngul se do të ketë prurje të reja në ditët në vijim.
“Ardhja e Kun (Agueros) është e rëndësishme sepse ai është lojtar i shkëlqyeshëm. Ai luan në një pozitë që është shumë e rëndësishme në çfarëdo sistemi dhe në tanin”, tha Laporta.
“Ne po ashtu duam që Leo Messi të qëndrojë dhe ai e di këtë. Aguero është i pari në një varg blerjesh që do t’i shihni në muajt në vazhdim”, shtoi ai.