Ademi: Vllaznia është skuadra e ndershmërisë

Futboll

Ademi: Vllaznia është skuadra e ndershmërisë

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 17:08
Ademi: Vllaznia është skuadra e ndershmërisë

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, është një nga më meritoret në suksesin e Vllaznisë, që u kthye te trofeu pas 13 vitesh. Mbas fitimit të Kupës së Shqipërisë, qytetarja e parë e kryeqendrës së veriut u shpreh e lumtur:

“Jam shumë e kënaqur që Vllaznia i kthehet trofeut dhe lojës së mrekullueshme. Lojërat kanë qenë të veçanta për atë që kemi sjellë në futbollin shqiptar. Vllaznia ka bërë diferencën, janë djem të mirë dhe një skuadër e vërtetë.

Meritën kryesore e ka trajneri. Unë jam e lumtur, kemi luftuar ndershmërisht, jemi përballur me çdo skuadër me forcë dhe atë që kemi ditur të bëjmë. Shkodra ka një tifozëri të jashtëzakonshme, Kupa është dhurata më e bukur që i bëjnë atyre dhe qytetit këto lojtarë. I falënderoj me zemër.

Premtim për tifozët? Vllaznia do ketë një tjetër arritje, po shkojmë drejt përfundimit të procesit të privatizimit, duke iu hapur rrugë investimeve. Ka qenë një sfidë jo e vogël për mua, por e mbajta fjalën.

Unë jam vajzë sportisti, ishte dhurata më e madhe që më dha Zoti. Do vazhdoj të mbështes futbollin, nuk shpenzon kush më shumë se Bashkia Shkodër për sportin. Do t’i mbështes më shumë se kurrë, sporti është një nga prioritetet tona.

Di që puna me Vllazninë ka qenë shumë e vështirë. Më 2015 u pata premtuar shkodranëve që do të kalonim vështirësitë e menaxhimit të ekipit. Bëmë mirë në dy vitet e para, por kishte probleme shumë të mëdha.

Vazhduam financimin me fondet e Bashkisë Shkodër. Nuk ishte e lehtë, pastaj bota e futbollit nuk është e drejtë. Ka faullet e veta, kemi vuajtur, por jemi ringritur. Vllaznia nuk ngjan me asnjë skuadër tjetër, është skuadra e të vërtetës, futbollit të vërtetë dhe real.

Të ecësh drejt është plot pengesa, por nuk ka rrugë tjetër. Kemi vuajtur shumë, por ia dolëm të jemi sot duke ecur drejt. Vllaznia do të ketë vetëm ngritje, kjo edhe falë privatizimit që do të bëjmë. Fitorja ime më e madhe është që e lë në duar të sigurta Vllazninë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat