Vllaznia është fituese e Kupës së Shqipërisë U-19 për sezonin 2020-2021. Finalja e luajtur ditën e sotme në Elbasan Arena kishte vendosur përballë Vllazninë dhe Tiranën, në një klasike të futbollit shqiptar që është mbyllur me fitoren 1-0 të kuqebluve të drejtuar nga trajneri Luan Zmijani, falë një supergoli të shënuar nga Antonio Delaj në minutën 23-të.
Pjesa e parë dhuroi një ndeshje të luftuar me të dy skuadrat që më shumë u kujdesën të mos dëmtohen, por me Vllazninë që në një aksion sulmues arriti të shënojë një super gol me Antonio Delajn, që në minutën e 23-të falë një goditjeje fantastike me të djathtën gjeti trekëndëshin e portës së Tiranës dhe i dha kuqebluve avantazhin.
Avantazh ky që zgjati deri në fund të ndeshjes, pavarsisht faktit se Tirana në pjesën e dytë kërkoi me ngulm golin e barazimit, arriti të krijojë raste për shënim, por pa arritur të gjejë golin që mund ti kishte dhënë një tjetër rrjedhë lojës.
Ekipet finaliste zbritën në fushën e lojës me këto formacione:
Vllaznia: Kacaj; Elbasani, Smajli, Paloka, Spahija, Pusi, Delaj, Mlloja, Alivoda, Pjeshka, Bizi.
Tirana: Kozi; Kozi; Bircaj; Qefalija, Pasmaҫiu, Kuka, Gjuzi, Gjumsi, Musaj, Blacari, Avdiu.
Medaljet dhe Kupa për fituesit janë dorëzuar nga anëtari i Komitetit Ezekutiv të FSHF, z. Abdyl Kuriu.