Juventus, Real Madrid dhe Barcelona ende nuk kanë hequr dorë nga ideja e Superligës, ndërkohë që ishin edhe klubet kryesore të cilët bënë përgatitjet për të nisur kompeticionin e ri.
Në këtë formë, UEFA ka nisur hetimet ndërsa së fundmi, sekretari gjeneral i UEFA-s, Theodor Theodoridhis, thekson se ekziston mundësia e përjashtimit të këtyre klubeve nga Liga e Kampionëve, shkruan Vipsport.
“Ekziston mundësia e përjashtimit nëse klubet nuk respektojnë rregullat. Gjithçka varet nga ato. Por, duhet përmendur se pjesa më e madhe e klubeve i kanë pranuar rregullat. Dua të sqaroj se vendimi që do të merret nuk do të jetë personal dhe nuk ka të bëjë me presidentin e UEFA-s apo Komitetin Ekzekutiv.
Në UEFA ka një ndarje të pushteteve dhe në një anë është ekzekutivi dhe në një anë është trupa gjyqësore. Asnjë nuk mund të influencojë në trupën gjyqësore. Nëse klubet kanë thyer rregulloren, atëherë duhet të përballen me pasojat”, u shpreh Theodoridhis.