Pas 10 vitesh, Kun Aguero rikthehet për të luajtur në Spanjë. Jo te Atletico Madrid prej nga fluturoi për në ishull, por në Katalonjë për të luajtur me Barcelonën, një ëndërr e kahhershme e 33-vjeçarit argjentinas, ku do të gjejë bashkatdhetarin e tij Leo Messi, me të cilin janë shokë skuadre sa herë që luajnë për “çelestët”.
Por për të arritur këtë, argjentinasi ka bërë një goxha sacrifice financiare. Ai ka pranuar të bëhet pjesë e skuadrës “blaugrana” me një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, ndërkohë që te Manchester Cyti ai përfitonte një shifër prej 23 milionë eurosh bruto.
Në fakt, Aguero kishte oferta më të mira në nivelin ekonomik, për shembull njëra vinte nga Juventusi, ku sistemi i taksave është i lehtësuar me lojtarët e huaj. Sidoqoftë, ëndrra e tij ishte të vishte fanellën e Barcelonës, që në fund të kishte mundësi të luante krah bashkatdhetarit dhe mikut të tij, Lionel Messi.
Këtë e deklaruan edhe dy zëvendëspresidenti i Barcelonës, Rafael Yuste, dhe drejtori i futbollit, Mateu Alemany. Ata janë shprehur se “El Kun” ka vendosur një bast me veten, për t’u treguar drejtuesve dhe tifozëve të Barcelonës, se paratë në “Camp Nou” do t’i marrë sepse do t’i meritojë.