Amir Abrashi i dha pak ditë më parë lamtumirën klubit të Bazelit, pasi përfundoi edhe kontrata që ai kishte me klubin zviceran.
Baseli e huazoi nga Frajburgu ku Abrashi nuk ishte më pjesë e planeve të klubit gjerman.
Por në fund të huazimit, Bazeli nuk ushtroi klauzolën që kishte vendosur për blerjen përfundimtare të tij.
Kështu, Abrashi u kthye te Frajburgu ku ka kontratë edhe për një tjetër vit. Por vazhdimësia atje duket shumë pak e mundur meqë mesfushori i përfaqësueses nuk është një lojtar që merret në konsideratë nga stafi teknik për planet e të ardhmes.
Mediat zvicerane raportojnë se në këtë situatë, bisedimet me Bazelin kanë vazhduar. Nëse Abrashi do të arrijë të shkëputet nga Frajburgu pa klauzolë largimi, atëherë në klubin zviceran e presin krahëhapur.
Palët po diskutojnë çdo lloj opsioni dhe duket se menjëherë pasi të përfundojë grumbullimi me kombëtaren, për Abrashin do të jetë koha që të marrë vendimin e tij se ku do të vazhdojë karrierën, me opsionin e Bazelit që bëhet gjithnjë e më i mundshëm.