Mesfushori belg ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që pësoi në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Chelseat.
Kevin De Bruyne pritet të mungojë në ndeshjen hapëse të Belgjikës në Euro 2020, ka konfirmuar trajneri Roberto Martinez, ku po ashtu u konfirmua që mesfushori i Manchester Cityt do ta ketë të detyrueshme maskën në fytyrë kur të kthehet nga lëndimi.
29-vjeçari pësoi lëndime në fytyrë, në një përplasje me mbrojtësin Rudiger, në finalen e madhe të këtij sezoni në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat, të cilën e fituan “Blutë” e Londrës me rezultat minimal 1:0.
De Bruyne i ka shpëtuar ndërhyrjes kirurgjike, lajm ky tejet i mirë për Belgjikën, por ndeshja kundër Rusisë më datën 12 qershor, veçse është konfirmuar që do të jetë shumë herët për yllin belg.
“De Bruyne pritet të mungojë në ndeshjen e parë, kështu që kushdo që do ta zëvendësojë, duhet të tregojë se është i gatshëm. Ai mund të jetë i gatshëm për evropianin, por nuk e dimë se kur. Është shumë herët që të jep një përgjigje tani, fillimisht duhet ta kemi ‘dritën e gjelbër’ nga stafi mjekësor”, tha trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez.