Kombëtarja U-21 ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në Barcelonë, ku po përgatitet për ndeshjen me Andorrën, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2023.
Nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi, kuqezinjtë janë stërvitur në ambientet e qendrës stërvitore të Espanjolit.
Gjithçka ka shkuar normalisht dhe skuadra ka bërë stërvitje me intensitet të plotë. Një ditë para ndeshjes kombëtarja U-21 do të mbërrijë në Andorra sipas programit.
Ndërkohë, zyra e shtypit në FSHF bën me dije se me Kombëtaren nuk ka udhëtuar mesfushori Drin Halili, si edhe futbollistët e tjerë për të cilët është njoftuar më parë që janë: Ramën Çepele, Kristjan Asllani, Jurgen Çelhaka dhe Ernest Muçi. Listës fillestare i janë shtuar emra si: Armando Broja, i cili do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë ndaj Andorrës, Ledio Beqja, Mateo Shanaj dhe Marçelino Preka.
Shqipëria e 21-vjeçarëve do të luajë ndeshjen e parë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian në transfertë ndaj Andorras, më 4 qershor ndërsa katër ditë më vonë do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë, po në transfertë.